rePUBLIC spaces Prizren

 

Inicimi i projektit dhe marrëveshjet mes palëve

Më 28 Mars të vitit 2019 EC Ma Ndryshe ka nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi me UN-HABITAT me seli në Nairobi (Kenia) rreth zbatimit të projektit të rePUBLIC SPACES / HAPËSIRAT re-PUBLIKE. Projekti do të zbatohej në Prizren, Kosovë.

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti ishte promovimi i hapësirave publike të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të qasshme në Prizren nëpërmjet dialogut të politikave, projekteve të hartuara dhe të demonstruara nga komuniteti, të cilat synojnë përmirësimin e jetesës së banorëve dhe komuniteteve të pafavorizuara. Projekti do të zbatohej nga EC Ma Ndryshe përmes metodologjisë së planifikimit urban me pjesëmarrje të banorëve të lagjes bashkë me lojën virtuale ndërkombëtarisht të njohur - MineCraft të fondacionit Bllok pas Blloku.

Për zbatimin e projektit, më 19 prill 2019 është nënshkruar edhe Marrëveshja e bashkëpunimit mes Komunës së Prizrenit të përfaqësuar nga kryetari z.Mytaher Haskuka dhe EC Ma Ndryshe të përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv z.Valon Xhabali. Marrëveshja e bashkëpunimit, përpos parimeve të përgjithshme të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe obligimet e palëve, ka përfshirë identifikimin dhe përzgjedhjen e 5 hapësirave publike për të cilat do të hartohej dizajni urban por edhe termat e bashkëfinancimit të investimit kapital pasi të kryhej procesi i dizajnit.

Punëtoritë gjithëpërfshirëse dhe Minecraft

EC Ma Ndryshe, në kuadër të projektit, si hap të parë ka mbajtur punëtoritë dyditore më 27 e 28 Prill dhe 18 e 19 Maj 2019 për hapësirat publike të përzgjedhura në lagjet Bazhdarhane, Dardania, Lakuriq dhe Ortakoll në Prizren. Në punëtori janë ftuar të gjithë banorët e interesuar dhe atë përmes shpalljeve në lagje por edhe në media sociale. Në veçanti janë inkurajuar pjesëmarrësit e grupeve të prindërve me fëmijë, shokë e shoqe, gra e vajza, mësues me nxënës, profesionistë të rinj apo edhe me përvojë, etj.

Gjatë punëtorive, pjesëmarrësit fillimisht janë takuar në terren tek hapësirat publike përkatëse ku kanë filluar diskutimet rreth problematikave që kanë ato hapësira. Pjesëmarrësit përmes prezantimeve e debateve frytdhënëse më pas kanë vazhduar punën ku janë propozuar edhe zgjidhjet potenciale për problemet e identifikuara. Në kuadër të punëtorive, ekspertët dhe fascilitatorët e projektit kanë mbajtur edhe një trajnim të shkurtë për lojën Minecraft. Në modelet e ndërtuara tek loja virtuale Minecraft pjesëmarrësit kanë vendosur modelet fizike të zgjidhjeve urbane për hapësirat e lagjeve të tyre.

Punëtoritë janë përmbyllur me debate e diskutime të përbashkëta rreth prioretizimit të funksioneve dhe elementeve që duhet të jenë prezentë në dizajnin final të hapësirave publike.

Dizajni i hapësirave publike dhe konsultimet finale

Pas punëtorive të organizuara, ekipi profesional i projektit ka bartur modelet e Minecraft në dizajnin preliminar të hapësirave të identifikuara. Të gjitha draftet e para të projekteve janë konsultuar me pjesëmarrësit e punëtorive ku ata kanë dhanë edhe sugjerimet dhe rekomandimet për dizajn përfundimtar të hapësirave të identifikuara.

Gjatë procesit të konsultimeve shtesë, për dy hapësirat e identifikuara në lagjen Lakuriq banorët kanë insistuar që ato hapësira të mos jenë të zhurmshme dhe të mos kenë përmbajtje me shumë aktivitete. Në këtë mënyrë investimet në ato dy hapësira do të zvogëloheshin dhe do të ishin vetëm në mirëmbajtje të gjelbërimit dhe pastrimit të hapësirave. Gjatë këtyre takimeve është propozuar një hapësirë tjetër, ajo afër KEDS, e cila është arritur si konsensus me banorët dhe që do ti përmbushte kushtet për një park të ri në lagjen Lakuriq.

Si rezultat i këtij procesi, në vend të dizajnit të 5 hapësirave publike, ekipi i projektit ka kryer hartimin dhe dizajnin e 6 hapësirave publike në lagjet Lakuriq, Bazhdarhane, Dardania dhe Ortakoll. Projekti pos gjithpërfshirjes ka përfunduar edhe dizajnin dhe planin zbatues detaj për të gjithat hapësirat e lartpërmendura dhe është marrë pëlqimi edhe nga banorët e lagjes rreth investimeve në këto hapësira. Pas hartimit të projekteve, planifikohej investim i pjesshëm në hapësirat e identifikuara.

Pas hartimit të paramasave dhe parallogarive për 6 hapësirat e dizajnuara, shumica e tyre kanë rezultuar me kosto të lartë të investimit pasi që hapësirat e identifikuara kishin nevoja të mëdha për investim bazuar edhe në kërkesat e banorëve.

Në dhjetor të vitit 2019, Komuna e Prizrenit dhe EC Ma Ndryshe kanë amandamentuar marrëveshjen fillestare, ku në vitin 2020 palët janë zotuar të punojë në tri hapësirat e lagjes Lakuriq me fokus kryesor në përfundim të plotë të parkut të ri. Pasi që tri projektet tjera tanimë janë finalizuar, Komuna e Prizrenit, gjegjësisht kryetari z. Mytaher Haskuka është zotuar që do të vazhdojë me qasje të njëjtë të investojë edhe në hapësirat tjera të identifikuara e të dizajnuara përmes këtij projekti, tek lagjet Bazhdarhane, Dardani dhe Ortakoll.

Për të shikuar projektet e lagjeve Dardania, Bazhdarhane dhe Ortakoll klikoni këtu

Hulumtimi i hapësirave publike në Prizren

Pandemia globale e COVID-19, sikurse në gjithë botën, ashtu edhe në Kosovë ndikoi në mbylljen gati totale të vendit por edhe shtyrjen e punëve ndërtimore publike dhe projekteve të ndryshme në vazhdim. Pasi që punët ndërtimore në parkun e Lakuriqit nuk do të mund të fillonin, EC Ma Ndryshe gjatë kësaj periudhe, duke respektuar rregullat shëndetësore në fuqi filloi me aktivitetin e hulumtimit të hapësirave publike në qytetin e Prizrenit. Hulumtimi përfshiu 76 hapësira publike në zonën urbane të qytetit, ku gjysma e tyre gjenden në Qendrën Historike të Prizrenit.

Hulumtimi kishte për qëllim të analizojë gjendjen ekzistuese të të gjitha hapësirave publike ku janë përfshirë kategoritë dhe funksionet e hapësirave, elementet dhe mobilieria urbane si dhe qasja e shfrytzueshmëria e tyre. Hulumtimi jep edhe konkluzione e rekomandime se si këto hapësira do të mund të ngrisnin cilësinë dhe do të ishin më të shfrytëzueshme nga banorët e këtyre hapësirave por edhe vizitorët / turistët e shpeshtë që e frekuentojnë qytetin e Prizrenit.

Për më shumë shih hulumtimin dhe infografikën

Ndërtimi i parkut të ri në Lakuriq

Punët ndërtimore në parkun e ri të lagjes Lakuriq filluan me 25 Gusht 2020 dhe përfunduan më 31 Tetor 2020. Parku u inaugurua në një atmosferë plot entuziazëm të krijuar nga fëmijët e lagjes, ku nikoqir të ceremonisë së inaugurimit ishin kryetari i Komunës së Prizrenit z.Mytaher Haskuka, drejtor i DSHP z. Osman Krasniqi dhe drejtori ekzekutiv i EC Ma Ndryshe z.Valon Xhabali bashkë me koordinatorin e projektit z.Enes Toska.

Dizajni i parkut të ri për lagjen Lakuriq është kryer nga EC Ma Ndryshe përmes metodologjisë së planifikimit urban me pjesëmarrje të banorëve të lagjes. Investimi kapital në park, në vlerë prej 50.000$ është bërë në bashkëfinancim mes Komunës së Prizrenit dhe EC Ma Ndryshe, gjegjësisht UN-HABITAT.

Në kuadër të këtij parku janë ndërtuar: fusha e basketbollit dhe futbollit të vogël (e përshtatshme edhe për tenis), shtigje për lëvizje të përshtatshme edhe për persona me aftësi të kufizuara, lojëra të ndryshme dhe vizatime të kryera në hapësira të parkut nga vet fëmijët, ulëse të formave e materialeve të ndryshme, tavolinë për shah, ndriçimi publik, shporta për mbeturina, hapësirë për parkim të biçikletave, shtylla anti-parking si dhe rregullimi i peizazhit, përfshi këtu mbjelljen e drunjëve dhe të barit.

Gjatë inaugurimit në lagjen Lakuriq kryetari i Komunës së Prizrenit ndër të tjera theksoi se ky park “është një shembull i mirë se si duhet të rregullohen hapësirat publike ngase procesi ka shkuar nga fillimi në bazë të konsultimeve me komunitetin ku në bazë të kërkesave të tyre është kryer edhe vet projekti”.

Drejtori i EC Ma Ndryshes z.Xhabali në inaugurim shprehi entuziazmin e tij se “Prizreni në vitin 2021 mund të shndërrohet në model për qytetet tjera ku hapësirat publike janë në shërbim dhe shfrytëzim të komunitetit”.

 
 
 
 

Promovimi dhe dokumentimi i procesit të projektit

Në kuadër të projektit është prodhuar edhe një dokumentar që dokumenton tërë procesin e punës së projektit si dhe një video promo e shkurtë rreth hapësirave publike.

HAPUKS Platforma e hapësirave publike – Kosovë

Një rezultat tjetër i rëndësishëm dhe që do të ndikojë në qëndrueshmëri të projekti është ndërtimi i platformës HAPUKS (hapuks.com). Kjo platformë mëton të pasqyrojë gjendjen e hapësirave publike të qyteteve të Kosovës, duke filluar në vitin 2020 me ato të qytetit të Prizrenit. Platforma posedon hartën interaktive ku mund të navigohen hapësirat publike të identifikuara por edhe informata të tjera si infografika, projekte dhe kategorinë e multimedias me literaturë shtesë.

Platforma është e hapur që të përditësohet nga audienca, komuniteti apo profesionistët e interesuar.

Përshtypja jonë për një qytet, pos identitetit bashkëkohor urban por edhe atij historik formësohet edhe nga kualiteti i hapësirave publike në të. Hapësirat publike duhet të jenë funksionale, të ofrojnë hapësirë për kreativitet, të jenë të qasshme për të gjitha grupet e shoqërisë dhe të ofrojnë siguri. Për më tepër, hapësirat publike kanë rol të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe ekonomike të banorëve e komuniteteve që jetojnë dhe i gëzojnë këto hapësira.

Çka është HAPUKS?
HAPUKS – Platforma e hapësirave publike në Kosovë e themeluar nga EC Ma Ndryshe mëton të pasqyrojë gjendjen e hapësirave publike të qyteteve tona, duke filluar në vitin 2020 me ato të qytetit të Prizrenit. Platforma posedon hartën interaktive ku mund të navigohen hapësirat publike të identifikuara por edhe informata të tjera si infografika, projekte dhe kategorinë e multimedias me literaturë shtesë.
Platforma HAPUKS për Komunën e Prizrenit është realizuar në kuadër të projektit “rePUBLIC SPACES” i cili është përkrahur financiarisht nga UN-HABITAT. Përmbajtja e platformës nuk pasqyron doemos politikën zyrtare të UN-HABITAT.

Çka përmban kjo platformë?
Platforma HAPUKS ofron informata rreth kategorisë dhe funksioneve ekzistuese të hapësirave publike, elementeve dhe mobilarisë urbane që posedojnë, qasjen për persona me aftësi të kufizuara dhe elementet që i mungojnë këtyre hapësirave. Shfrytzueshmëria e hapësirave është përcaktuar në fund pas marrjes parasysh të të gjitha faktorëve të sipërpërmendur dhe shfrytëzimit të hapësirës publike në baza vjetore. Tek infografikat ipen edhe rekomandimet konkrete se si të adresohen çështjet që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së hapësirave publike.

Si mund të navigoj apo kontribuoj?
Klikoni këtu për të shikuar kategoritë e hulumtimit dhe se si të navigoni në hartën interaktive të platformës. Platforma HAPUKS mund të përditësohet nga audienca, komuniteti apo edhe profesionistët duke na dërguar e-mail apo edhe fotografi tek [email protected].